Italia synon t’i vendosë azilkërkuesit e refuzuar në qendra dëbimi në shtete të treta. Gjykatat italiane vendosën kundër, por tani një ekspert i rëndësishëm i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë i jep të drejtë Melonit.
Qëllimi fillestar i qeverisë së Giorgia Melonit për të zhvilluar procedura të shpejta azili në Shqipëri konsiderohet si i dështuar. Gjykatat italiane e konsiderojnë këtë gjë si të palejueshme. Reagimi i Melonit ishte që dy qendrat e azilit që Italia ka ndërtuar në Shqipëri të përdoren në vend të kësaj për të mbajtur në paraburgim deri në dëbim azilkërkuesit e refuzuar.
Edhe kjo formë ndalimi jashtë territorit të Italisë konsiderohet e paligjshme nga gjykatat italiane. Për këtë arsye, ato i kanë kaluar disa raste tek Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Tani Avokati i Përgjithshëm pranë kësaj gjykate ka dhënë vlerësimin e tij. Ai është një lloj eksperti i pavarur, i cili pas shqyrtimit të çështjes jep një opinion mbi të.
Modeli i “kampeve si në Shqipëri” i lejueshëm, por me kushte
Sa i përket ndalimit të personave në pritje të dëbimit, Avokati i Përgjithshëm nga Qiproja, Nikolas Emilu, vlerëson se qendrat e dëbimit jashtë një shteti të BE-së mund të jenë të lejueshme. Megjithatë kusht është që migrantëve t’u garantohen të gjitha të drejtat që kërkon e drejta e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin veçanërisht: mbështetje ligjore nga avokatë dhe përkthyes, kontakt me familjen dhe me autoritetet përgjegjëse.
Fëmijët dhe personat e sëmurë duhet gjithashtu të kenë akses në arsim dhe shërbime shëndetësore./DW

