Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, nënvizoi sot se rimbursimi i plotë i barnave për pacientët me kancer do të jetë një nga prioritetet kryesore të saj.
“Është e palejueshme që, si një vend evropian që aspiron të hyjë në BE deri në 2030, barnat onkologjike të mos jenë plotësisht të rimbursuara për pacientët me kancer,” tha Sala gjatë prezantimit të saj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ministrja shtoi se përveç rimbursimit, fokusi do të jetë edhe te digjitalizimi i shëndetësisë, riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues, si dhe mbajtja e mjekëve të rinj në vend, për të siguruar një kujdes më të shpejtë dhe më cilësor për pacientët.
“Çdo hap që bëjmë, çdo përmirësim i shërbimit, synon të shpëtojë jetë dhe të përmirësojë cilësinë e trajtimit për pacientët onkologjikë,” theksoi Sala.


