Nard Ndoka, kreu i PDK-së, bëri kritika për zgjedhjen e Edi Ramës për të vendosur Pirro Vengun krye të Ministrisë së Mbrojtjes.
Teksa çështja e Vengut është sqaruar që në vitin 2015 kur ishte zyrtar i Ministrisë së Jashtme, duket se Ndoka ka mbetur po në atë vit.
“Ministrin e Mbrojtjes ne e kemi shtetas grek. Nuk e dimë akoma nëse e ka bërë ushtrinë apo jo. Presidenti, si Komandant i Forcave të Armatosura, duhet të ketë një minimum informacioni sepse ministrin e Mbrojtjes e ka si pjesë të stafit. Sigurinë tonë kombëtare ia kemi besuar një njeriu që është mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndoshta e do Greqinë më tepër se Shqipërinë. Imagjinoni që në kulmin e një konflikti, ministri i Mbrojtjes të thirret për të luftuar në Greqi”, u shpreh Ndoka.

