Site icon Informohu siç duhet

Ministria e Bujqësisë: Kontrollet për sigurinë ushqimore nuk janë ndëshkuese, por hap për forcimin e sektorit

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka sqaruar se aksioni i ndërmarrë së bashku me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore për kontrollin e sigurisë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore nuk ka për qëllim penalizimin e fermerëve, por është pjesë e një përpjekjeje për të formalizuar dhe mbështetur bujqësinë.

Në një njoftim zyrtar, MBZHR thekson se formalizimi i sektorit bujqësor përmes faturës tatimore synon garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët dhe krijimin e një zinxhiri të gjurmueshëm të prodhimit.

“Fermerët nuk janë fajtorë. Ata janë partnerët tanë më të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Objektivi nuk është vendosja e gjobave, por ndërtimi i një sistemi transparent, të kontrollueshëm dhe në shërbim të qytetarit,” thuhet në deklaratën e ministrisë.

Sipas MBZHR, kjo nismë ndihmon në gjurmueshmërinë e produkteve bujqësore – nga vendi i prodhimit deri te përpunimi dhe tregtimi – duke rritur kështu besimin e qytetarëve në sigurinë e ushqimit që konsumojnë.

Gjithashtu, për fermerët që janë të regjistruar dhe formalizuar, kjo qasje ofron akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi eksporti, në një kohë kur produktet shqiptare janë tashmë të pranishme në mbi 80 tregje ndërkombëtare.

Ministria u bën thirrje të gjithë aktorëve të zinxhirit agroushqimor që të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor bujqësor të ndershëm, të kontrollueshëm dhe të besueshëm për konsumatorin vendas dhe tregjet ndërkombëtare.

Exit mobile version