Site icon Informohu siç duhet

Ministri Salla në Lezhë: Riparimi i argjinaturës në Tale drejt përfundimit, strukturat në gadishmëri të plotë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, drejtorin e Ujitje-Kullimit, Nikolin Prendi, dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), inspektuan nga afër situatën në argjinaturën e dëmtuar në Tale pas reshjeve intensive gjatë natës.

Që prej mesnatës, ekipet e ujitje-kullimit dhe ato të bashkisë po punojnë pa ndërprerje për riparimin e segmentit të prekur, duke garantuar sigurinë e zonave dhe funksionimin e sistemit kullues.

Ministri Salla theksoi se ekipet janë në terren, monitorojnë situatën orë pas ore dhe ndërhyjnë aty ku shfaqen problematika. Ai siguroi se strukturat janë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe funksionimin e sistemit kullues.

“Bashkia Lezhë, AKMC, Drejtoria e Ujitje-Kullimit dhe Ministria e Bujqësisë, me të gjitha mjetet në dispozicion, punojnë prej 24 orësh për riparimin e argjinaturës. Jemi drejt mbylljes së problematikës dhe falënderoj të gjithë institucionet për gatishmërinë. Megjithatë, jemi në gatishmëri të plotë për çdo situatë të re,” deklaroi Salla.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, shtoi se ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi i institucioneve kanë parandaluar pasoja serioze, duke mbrojtur banorët dhe tokat bujqësore.

“Situata mund të ishte agravuar shpejt, por falë ndërhyrjes së menjëhershme, ajo mbetet nën kontroll. Presim që sonte të përfundojë riparimi dhe situata të stabilizohet,” tha Ndreu.

Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, AKMC dhe Drejtorinë e Ujitje-Kullimit, vazhdon monitorimin e situatës dhe do të ndërhyjë sipas nevojës për parandalimin e përmbytjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve dhe tokave bujqësore.

Exit mobile version