Site icon Informohu siç duhet

Ministri Nufi: ‘KAYO’ do të koordinojë industrinë ushtarake, në linjë me angazhimet e Shqipërisë në NATO

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi zhvilloi një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu, ku në fokus ishte funksionimi i shoqërisë shtetërore “KAYO”.

Gjatë fjalës së tij, Nufi shpjegoi se qeveria po ndjek një model “holding” për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përmes kësaj kompanie që është në pronësi të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij, “KAYO” nuk është konceptuar si një prodhues i drejtpërdrejtë, por si një strukturë koordinuese që bashkëpunon me kapital privat vendas dhe të huaj për ngritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Që në fillim, KAYO është konceptuar jo si kompani drejtpërdrejt prodhuese, duke mbajtur shumë pak nga detyrat që t’i ushtrojë vetë si kompani, por qëllimi i saj ka qenë që të funksionojë si kompani që është Holding, pra bashkëprodhon me kapitale me partnerë privatë që njohin industrinë, që kanë kapitale për t’i angazhuar në këtë industri dhe duke bashkëpunuar me shoqërinë KAYO, e cila është 100% pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, të mund të zhvillojmë industrinë e mbrojtjes dhe të prodhojmë produktet ushtarake për Forcat e Armatosura, strukturat e sigurisë apo edhe për eksport”, u shpreh ministri.

Ministri theksoi se ky është një model i përdorur edhe në vende të tjera dhe synon të tërheqë investime private në një sektor që kërkon standarde të larta sigurie dhe rregullimi ligjor, për shkak të natyrës së prodhimit dhe tregtimit të armëve.

“Ka një lloj paragjykimi për veprimet e shoqërisë, ku është një model ndërkombëtar, funksion dhe në vende të tjera. Qëllimi është të zhvillojë kapitale private, dhe jo shtetërore për ngritjen e një industrie. Industria ushtarake është një nga fushat më të vështira ku qeveria, apo një grup biznesesh mund të kryejë veprimtarinë për shkak se mbart një kontroll shumë të lartë dhe njëkohësisht mbrat garanci të shtuara ligjore, për sa kohë prodhimi i armëve, shitja e armëve, rregullohet gjithmonë në marrëdhënien shtet me shtet”, shpjegoi Nufi.

Sipas Nufit, roli i “KAYO” është të licencojë dhe të koordinojë zhvillimin e industrisë, duke krijuar partneritete që mund të çojnë në prodhimin e pajisjeve ushtarake si për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ashtu edhe për eksport.

Ai shtoi se Shqipëria ka pasur traditë në prodhimin ushtarak dhe se kjo nismë synon të ringjallë dhe të modernizojë këtë sektor, duke e lidhur atë edhe me angazhimet e vendit në NATO.

Në fund, ministri vuri në dukje se zhvillimet globale, përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, e bëjnë edhe më të rëndësishme rritjen e kapaciteteve vendase për prodhimin e armëve dhe municioneve, me synim garantimin e furnizimit dhe uljen e varësisë nga importet.

“Shqipëria nuk është një vend që nuk e njeh prodhimin ushtarak, pasi jemi një vend që kemi qenë të angazhuar për prodhimin e armëve. Qëllimi KAYO-s ishte rrjetëzimi i industrisë ushtarake dhe që lidhet me angazhimin tonë në NATO”, tha Nufi.

Exit mobile version