Ministri i Kulturës në Itali, Gennaro Sangiuliano, është përfshirë në një skandal që ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare, pasi u zbulua se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua të famshme në rrjetet sociale, Maria Rosaria Boccia.
Boccia publikoi disa dokumente që sipas saj dëshmojnë se ajo ka punuar si këshilltare e ministrit dhe ka marrë pjesë në udhëtime të shumta pune me të.
Sipas mediave vendase, Sangiuliano hodhi poshtë spekulimet se Boccia ishte e punësuar në ministrinë e Kulturës, por pranoi se ekziston një lidhje personale mes tyre.
Ai sqaroi se shpenzimet e udhëtimeve me 41-vjeçaren nuk janë mbuluar nga buxheti i ministrisë, por kanë qenë shpenzime personale, duke mohuar çdo përdorim të fondeve publike në këtë çështje.
Gjatë një interviste, ministri kërkoi falje publike ndaj familjes së tij për momentet e vështira që po kalojnë, të shkaktuara nga tradhtia e tij dhe presioni i fortë mediatik.
Ndërkohë, Sangiuliano deklaroi se ka dorëzuar dorëheqjen tek kryeministrja Giorgia Meloni, por kjo nuk u pranua nga ana e saj.

