Gazeta amerikane “Politico” në renditjen e vitit 2025, ka caktuar kryeministren e Italisë Giorgia Meloni si personi më i fuqishëm në Evropë.
Meloni lë pas emra të tjerë të fuqishëm të skenës së politikës dhe jo vetëm.
Që në hyrje, gazeta kujton emra si Elon Musk apo Donald Trump, emrat e të cilëve renditen pas Melonit.
“Nëse jeni Elon Musk njeriu më i pasur në botë dhe një këshilltar kyç i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump numri i telefonit që duhet të telefononi është Giorgia Meloni”, thuhet në motivacionin për çmimin 2025.
“Politico” rendit meritat e Melonit teksa bën edhe një kronologji të hapave të saj të ngjitjes në politikë.
“Në më pak se një dekadë, liderja e partisë së krahut të djathtë Vëllezërit e Italisë ka kaluar nga shkarkimi si një ultranacionaliste, në zgjedhjen kryeministre të Italisë dhe duke u vendosur si një figurë me të cilën Brukseli dhe tani Uashingtoni, mund të bëjnë biznes.
Që nga zgjedhja e saj në vitin 2022, kryeministrja italiane ka trajtuar politika për çështje të tilla si migrimi dhe të drejtat e LGBTQ+, të cilat dikur do të kishin tërhequr dënimin nga Brukseli. Meloni bëri bujë në mbarë botën kur u bë kryeministrja e parë femër e Italisë, por pak parashikuan se ajo do të zgjaste gjatë në detyrë”, vazhdon gazeta amerikane.

