Ilir Meta ka reaguar ashpër pas vendimit të GJKKO për ta mbajtur në masë sigurie, duke e cilësuar vendimin si një “mashtrim publik” të firmosur nga gjyqtari Erjon Çela, të cilin e quan “noter i SPAK”.
Sipas Metës, alibia e gjykatës se lirimi i tij mund të sillte intimidim të dëshmitarëve është absurde, pasi – siç shprehet ai – shumica e tyre nuk kanë asnjë lidhje me Partinë e Lirisë.
Meta liston një për një emrat e dëshmitarëve, duke theksuar se shumica janë larguar prej vitesh nga LSI/PL ose janë afruar me Partinë Socialiste:
Endrit Braimllari, sipas tij, sot pjesë e PS.
Eriol Braimllari, i shkarkuar nga PL që në janar 2024, pjesë e strukturave të PS.
Elena Gaçe, ish-financiere e LSI për 20 vite, e larguar në 2024.
Mirela Merko, ish-kryefinanciere, larguar prej 6 vitesh.
Luan Rama, ish-sekretar i përgjithshëm, vetëlarguar në 2021.
“Këto pretendime janë një farsë gjyqësore. Zero prova, zero fakte penale dhe zero dëshmitarë kundër meje,” shkruan Meta. Ai akuzon qeverinë Rama se ka “kapur drejtësinë” dhe e cilëson procesin si një pengmarrje politike kundër tij.
Meta paralajmëron se në seancën paraprake të gjykimit do të bëhen publike të gjitha “mashtrimet e SPAK dhe gjyqtarëve që i shërbejnë regjimit”.


