Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit dhe izolimit të kreut të kësaj partie, Ilir Meta, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar.
Në një intervistë për News24, Blushi deklaroi se nuk ekziston asnjë provë penale ndaj Metës dhe se ndalimi i tij është një manovër politike e lidhur me çështjen e firmës së Endrit Braimllarit, ish-sekretarit organizativ të PL-së.
“Meta është në një izolim ekstrem për firmën e Braimllarit. Nuk ka asnjë fakt penal në dosjen ndaj tij. Ndërkohë që Braimllari hyri në SPAK me teserën e PL-së dhe doli me atë të PS-së”, tha Blushi.
Ai akuzoi qeverinë për “terror elektoral”, duke e lidhur arrestimin e Metës me procesin zgjedhor, për të cilin tha se është “ekzekutuar nga Edi Rama”. Blushi përmendi edhe vlerësimet problematike të OSBE-së, si dëshmi të parregullsive dhe presioneve ndaj opozitës.
“Vota u vra pa hyrë në kuti. Liderët e opozitës janë nën akuza qesharake. Para se të arrestonin Metën, izoluan edhe Berishën. Kjo është një strategji për të mbytur opozitën”, u shpreh ai.
Sipas tij, Ilir Meta ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe fizike, por shqetësimi i tij më i madh mbetet e ardhmja e Shqipërisë.
“Meta është në top formë. Nuk mendon për veten, por për vendin. Ajo që e mund në qeli është drejtimi që ka marrë Shqipëria”, përfundoi Blushi.

