Site icon Informohu siç duhet

Mësuesit shqiptarë vlerësohen lart në anketën ndërkombëtare, Rama: Merita e tyre dhe e përpjekjeve tona

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur rezultatet pozitive të Shqipërisë në anketimin ndërkombëtar TALIS të OECD, duke e cilësuar si një “lajm të bukur dhe motivim të madh” për të vijuar mbështetjen ndaj mësuesve.

Në ceremoninë e prezantimit të rezultateve, Rama u shpreh se mësuesit shqiptarë kanë treguar profesionalizëm, pasion dhe përkushtim që reflektojnë përmirësimin e sistemit arsimor.

“Ky është një lajm shumë i mirë për prindërit dhe për të gjithë ne. Mësuesit tanë kanë dalë mirë në një anketim prestigjioz mes 55 sistemeve arsimore në Europë. Është në radhë të parë merita e tyre, por edhe pasqyrë e përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i mbështetur”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se anketa tregon motivimin e lartë të mësuesve, përdorimin mbi mesataren e teknologjisë në mësimdhënie, si dhe kënaqësinë e tyre me profesionin, duke e konsideruar këtë një tregues se arsimi po kthehet në profesion me pasion dhe jo me detyrim.

Ai theksoi se qeveria do të vijojë të fokusohet te mbështetja e mësuesve të rinj, zhvillimi profesional dhe ulja e ngarkesës së punës, si pjesë e reformës në arsimin parauniversitar.

“Një pjesë e mësuesve të rinj shprehin shqetësim se mund të lënë profesionin nëse nuk ndihen të mbështetur mjaftueshëm. Ky është një sinjal që e marrim shumë seriozisht”, theksoi Rama.
Shqipëria ka dalë me shumë sukses në Anketën Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënit, TALIS.

Exit mobile version