Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Italia do ta njohë Shtetin e Palestinës vetëm nëse Hamasi çarmatoset plotësisht dhe nuk merr asnjë rol në qeverisjen e ardhshme.
Në fjalën e saj në parlament, Meloni theksoi se një paqe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme kërkon “garanci të qarta sigurie dhe stabiliteti”, ku grupet militante nuk duhet të kenë më ndikim në strukturat shtetërore.
“Hamasi duhet të pranojë se nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen kalimtare apo në shtetin e ardhshëm palestinez dhe duhet të çarmatoset për të mos përbërë më kërcënim për stabilitetin rajonal. Këto janë parakushtet e nevojshme për njohjen e Shtetit të Palestinës nga Italia,” – tha Meloni, sipas adnkronos.it.
Ajo shtoi se qeveria italiane është “e gatshme të veprojë në përputhje me rrethanat” sapo këto kushte të përmbushen.
Meloni vlerësoi gjithashtu marrëveshjen e fundit mbi planin 20-pikësh për Lindjen e Mesme, të nënshkruar në Sharm el-Sheikh dhe të mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si “një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv dhe konkret”.
“Ky është fryt i një pune të gjatë dhe komplekse diplomatike, në të cilën Italia ka kontribuar me këmbëngulje dhe pragmatizëm,” – shtoi ajo, duke falënderuar ndërmjetësit ndërkombëtarë nga Egjipti, Katari dhe Turqia, si dhe presidentin Donald Trump për rolin vendimtar në arritjen e marrëveshjes.