Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka bërë një rrëfim të ndjerë dhe shumë personal, duke zbuluar se familja e tij ka kaluar për vite me radhë një periudhë tepër të vështirë për shkak të varësisë nga droga të djalit të tij. Në një intervistë televizive, Malkaj tha se viti 2025 është më i bukuri i jetës së tij, pasi i biri sot është i shëruar dhe nuk është më përdorues i lëndëve narkotike.
I emocionuar, aktori tregoi se lufta me këtë problem ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme, jo vetëm për të, por për gjithë familjen. Ai theksoi se një situatë e tillë sjell një rrëmujë të vazhdueshme shpirtërore dhe se shtëpia humbet qetësinë kur një fëmijë përballet me varësinë.
“Kam dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Djali ka qenë përdorues droge për shumë vite, tani nuk është më. Nëse e urren dikë shumë, mos e mallko kurrë me fjalët ‘të pafsha fëmijët të përdorin drogë’. Kemi vite të tëra që kemi luftuar të gjithë, si familje. Kur ndodh diçka e tillë, nuk ka shtëpi, është vetëm rrëmujë shpirtërore”, u shpreh Malkaj.
Ai e cilësoi shërimin e djalit si një fitore të madhe personale dhe familjare, duke e konsideruar këtë periudhë si një dritë pas një tuneli të gjatë. Sipas aktorit, historia e tij është edhe një mesazh shprese për prindërit që përballen me të njëjtën sfidë, se lufta është e vështirë, por jo e pamundur për t’u fituar.


