Një media lokale gjermane ka ngritur akuza të rënda ndaj stafit të kombëtares shqiptare të futbollit. Sipas “ruhrnachrichten”, një anëtar i stafit të kombëtares shqiptare është nën hetim nga prokuroria e Dortmundit për krim seksual. Incidenti dyshohet të ketë ndodhur gjatë qëndrimit të kombëtares në qendrën sportive Kaiserau në Kamen.
Më 23 qershor, anëtari i stafit dyshohet se ka kapur nga krahu një punonjëse të qendrës sportive dhe ka kryer akte seksuale kundër vullnetit të saj. Policia e qarkut Unna u informua për incidentin rreth orës 19:30, konfirmoi zëdhënësi i policisë Bernd Pentrop. Ngjarja ndodhi para nisjes së kombëtares shqiptare drejt Dyseldorfit për ndeshjen e tretë në Euro 2024 ndaj Spanjës.
Prokuroria publike nuk ka dhënë detaje mbi gjendjen e viktimës së dyshuar. Prokurorja Sonja Frodermann tha se nuk ka informacione për ndonjë lëndim fizik apo qëndrim në spital të viktimës.
Meike Ebbert, kreu i qendrës sportive Kaiserau, konfirmoi incidentin dhe tha se kujdesi për punonjësen dhe mbrojtja e të drejtave të saj janë prioriteti kryesor. Ai shtoi se sulmi plotëson dyshimin fillestar për përdhunim, megjithëse zyra e prokurorit nuk e përmendi në mënyrë eksplicite këtë akuzë në deklaratën e saj.