Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, ka sqaruar arsyen e mungesës së tij në momentin e votimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
I ftuar në emisionin “Off the Record”, ai u shpreh se largimi i tij nga salla nuk ishte një akt politik, por një rastësi.
“Pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së për të çuar Tiranën në zgjedhje dhe për të zgjedhur një kryetar të ri, u mblodh grupi ynë i këshilltarëve. Unë kam qenë mes firmëtarëve për mbledhjen e jashtëzakonshme për Veliajn. Në seancë mbajta fjalën time, pastaj mendova se fjala do t’u jepej kryetarëve të grupeve, siç ndodh zakonisht. Për nevoja personale dola për pak minuta dhe kur u ktheva, votimi kishte mbaruar”, tregoi Muharremi.
Ai theksoi se, po të ishte në sallë, do të kishte votuar për shkarkimin e Veliajt.
“Padyshim që do të kisha votuar pro, sepse është një vendim politik. Ne duam që Tirana të ketë një kryetar të ri të zgjedhur dhe të jemi në shërbim të qytetarëve”, tha këshilltari socialist.

