Dorëheqja e Ramush Haradinaj nga posti i kryetarit të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.
Mes tyre, një reagim i veçantë dhe emocional erdhi nga bashkëshortja e tij, Anita Muçaj-Haradinaj, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu mbështetjen dhe dashurinë për bashkëshortin.
Në mesazhin e saj, ajo theksoi se për të, titulli më i rëndësishëm mbetet ai i bashkëshortes dhe nënës së tre fëmijëve të tyre. “Nuk ka titull më të bukur se të jem gruaja jote”, shkroi ajo, duke e cilësuar Haradinajn si një lider dhe strateg që “në komb lind një herë në 100 vjet”.
Muçaj-Haradinaj përmendi edhe rrugëtimin e përbashkët ndër vite, sfidat dhe sakrificat që kanë kaluar si familje, duke nënvizuar se tashmë po hapet një kapitull i ri në jetën e tyre.
Ajo e përmbylli mesazhin me fjalët: “Kosova të do, por unë të dua edhe më shumë”, duke shtuar me emocion: “Më në fund e fitova burrin tim”, duke lënë të kuptohet se pas angazhimeve të shumta politike, ai do të jetë më pranë familjes.

