Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane për trafik droge, teksa i janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokaine dhe 40 mijë euro cash.
Operacioni është zhvilluar Guardia di Finanza e Parmës e cila ka sekuestruar 8,4 kg kokainë të pastër duke goditur një rrjet të trafikimit në Itali.
Në pranga ra shoferi korrier i ngarkesës, i cili e kishte fshehur mallin në makinë, teksa iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm, pranë kryqëzimit të autostradës së Parmës.
Aksioni është kryer javën e kaluar, por u publikua vetëm së fundmi në media. Për transportuesin kishte dyshime se ishte i përfshirë në aktivitet kriminal dhe u vu në ndjekje të agjentëve.
Shoferi gjatë kontrollit u shfaq nervoz, kurse droga u gjet e fshehur në pjesën e pasme të sediles. Aty ishte vendosur një modifikim i posaçëm për futjen e drogës. Por agjentët arritën ta pikasnin dhe poshtë mbulesës së tapicerisë u gjetën 7 pako të mbështjella me natriban dhe të shenjuara.
Pesha totale e kokainës shkon në 8.4 kg. Gjithashtu u sekuestruan edhe mbi 40 mijë euro cash.
“Aktivitetet e kërkimit, të shtrira edhe në vendbanimin e subjektit, në provincën e Parmës, lejuan gjithashtu zbulimin dhe sekuestrimin e një makinerie numërimi kartëmonedhash, smartphone dhe fletore. Nëse do hidhej në treg, droga sillte një përfitim prej 750,000 euro”, informuan autoritetet për mediat italiane.
Korrieri, me kombësi shqiptare, u arrestua dhe u dërgua në burgun e Parmës, në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor vendas, i cili në datën 7 prill konfirmoi për herë të fundit arrestimin dhe urdhëroi mbajtjen e tij në burg.
Guardia di Finanza po vijon hetimet për zbërthimin e të gjithë organizatës kriminale që vepron në vend.