Që nga 1 korriku, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ndalon zyrtarisht aktivitetin e saj dhe roli i menaxhimit të ndihmës së huaj kalon në duart e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një njoftim zyrtar, kritikoi ashpër funksionimin e USAID-it, duke thënë se agjencia kishte rënë poshtë standardeve dhe shpesh promovonte ide anti-amerikane, duke e trajtuar ndihmën si bamirësi dhe jo si instrument të politikës së jashtme për avancimin e interesave amerikane.
USAID ka shpërndarë fonde edhe në Ballkan, përfshirë Shqipërinë, ku organizatat joqeveritare kanë përfituar rreth 189 milionë dollarë gjatë 4 viteve të fundit (2020-2024), sipas të dhënave të publikuara nga i dërguari special i Donald Trump për krizat, Richard Grenell.
Rubio theksoi se kalimi i menaxhimit te DASH do të sjellë më shumë llogaridhënie, efikasitet dhe do të pozicionojë Shtetet e Bashkuara në një luftë më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës, duke hapur një epokë të re partneriteti global, investimesh dhe prosperiteti.

