Mbreti Charles III po përgatitet të bëjë një rrëfim të hapur dhe personal për betejën e tij me kancerin, duke thyer një nga tabutë më të forta të monarkisë britanike: heshtjen dhe sekretin rreth shëndetit të sovranit. Lëvizja, e cilësuar si historike nga mediat britanike, shënon një largim të qartë nga tradita shekullore e konfidencialitetit absolut të familjes mbretërore, shkruan ilmessaggero.it.
77-vjeçari Charles u diagnostikua me një formë të paspecifikuar të kancerit në shkurt të vitit 2024. Sëmundja u zbulua gjatë një qëndrimi në spital për një operacion rutinë për prostatën e zmadhuar. Pallati i Buckingham konfirmoi se nuk bëhej fjalë për kancer të prostatës, por refuzoi të jepte detaje të mëtejshme, duke respektuar protokollet e privatësisë mjekësore.
Regjistrimi i mesazhit të tij personal është kryer në javën e fundit të nëntorit, në Sallën e Mëngjesit brenda Clarence House, rezidenca zyrtare e mbretit. Në këtë adresim të rrallë, monarku pritet të flasë hapur për diagnozën, trajtimin dhe sfidat që ka përjetuar gjatë muajve të fundit. Deklarata do të shoqërohet edhe me një thirrje publike për ndërgjegjësim mbi rëndësinë e kontrollit të hershëm për kancerin, një mesazh që mbreti e konsideron thelbësor për mijëra njerëz që përballen me të njëjtën sëmundje.
Njoftimi për transmetimin vjen në një moment kur Mbreti Charles nuk ka dhënë përditësime të reja për gjendjen e tij shëndetësore prej disa muajsh, megjithëse më herët e ka përshkruar udhëtimin e tij si “sfidues, por të menaxhueshëm”.
Pavarësisht trajtimit mjekësor javor që ka nisur në fillim të vitit 2024, sovrani ka vijuar të kryejë detyrat e tij publike me një ritëm të qëndrueshëm. Gjatë vitit 2025, ai mori pjesë në disa vizita shtetërore dhe rifilloi gradualisht angazhimet zyrtare, duke treguar përkushtim ndaj rolit të tij edhe në një periudhë të vështirë shëndetësore.

