Autoritetet italiane kanë arrestuar 9 persona pas një operacioni në provincën e Modenës dhe Romës, shtatë prej tyre italianë dhe dy shqiptarë. Të arrestuarit dyshohet se janë anëtarë të një organizate kriminale të përfshirë në trafikun e drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas mediave italiane hetimet ndaj grupit kriminal nisën prej vitit 2021 dhe anëtarët e grupit kriminal trafikonin drogë në Tivoli dhe Guidonia Montecelio, ku promotorët e shoqatës kishin zhvilluar një strukturë të rëndësishme logjistike për shitjen e lëndëve narkotike.
Përveç drogës ata po ashtu shpërndanin dhe shisnin armë në këtë zonë. Mes të arrestuarve është edhe një italiane 79-vjeçe, e cila kishte fshehur në shtëpinë e saj lëndë narkotike dhe shuma parash, që dyshohen se janë përfituar nga trafiku i drogës. Gjithashtu bëhet e ditur se grupi krimianl mbledhjet i bënte në një kotec pulash, që konsiderohej një vend i sigurt për t’iu shmangur çdo përgjimi.