Bora Muzhaqi ka njoftuar për hapjen e aplikimeve për Thirrjen e Nëntë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Muzhaqi u shpreh se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë e moshës 21-26 vjeç që dëshirojnë të zhvillojnë një praktikë 3-mujore pranë institucioneve të administratës shtetërore, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të pavarura.
Gjithashtu është dhe një mundësi shumë e mirë për administratën publike për të thithur pranë vetes të rinjtë që janë të talentuar.
Përsa i përket pozicioneve të praktikës, Ministrja Bora Muzhaqi u shpreh se këtë vit ofrohen mbi 1200 pozicione të lira në administratë.
Një platformë e rëndësishme për të rinjtë që të fitojnë praktik dhe të zgjerojnë aftësitë e tyre profesionale, por gjithashtu ata mund të kenë mundësi të përfitojnë një kontratë pune 1-vjeçare në varësi të nevojave të institucioneve pritëse.
“Ne besojmë se përmes këtij programi, të rinjtë do të kenë mundësinë të integrohen më mirë në tregun e punës dhe të zhvillojnë aftësi të rëndësishme që do t’i ndihmojnë në karrierën e tyre të ardhshme,” tha Muzhaqi e cila vijoi “Ky është një hap i rëndësishëm për të rinjtë tanë që të fitojnë përvojën e nevojshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë.”
Për të qenë pjesë e Thirrjes së Nëntë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, aplikantët duhet të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, si dhe të plotësojnë një formular të thjeshtë aplikimi duke bashkëngjitur CV-në dhe një letër motivimi deri më 15 gusht në portalin zyrtar: praktika.riniafemijet.gov.al