Site icon Informohu siç duhet

Mbështetje masive në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së, Rama: Zemra mal!

Me moton “Liria ka emër”, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora u mblodhën sot në Sheshin “Skënderbej” për të shprehur solidaritetin me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Qytetarët mbanin flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së, ndërsa brohoritjet për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin ishin të njëzëshme. Në tubim ishin prezentë edhe studentë, politikanë, personalitete të ndryshme dhe veteranë të UÇK-së, ndërsa veçoi prezenca e Endrit Thaçit, djalit të ish-Presidentit Hashim Thaçi.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga tubimi, duke shkruar për të: “Zemra mal”, dhe bëri të ditur se do të ishte pjesëmarrës nëse nuk do të rrezikonte politizimin e protestës, që është organizuar si një iniciativë jopolitike e veteranëve të UÇK-së.

Kjo është protesta e tretë e këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas tubimeve në Prishtinë më 7 gusht dhe në Hagë më 14 shtator, një ditë para dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes.

Prej 3 prillit 2023, Gjykata Speciale në Hagë po zhvillon procesin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt kanë mohuar.

Exit mobile version