Dhjetë persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë të mesme në provincën British Columbia, Kanada. Sipas policisë, gjashtë viktima u gjetën brenda ambienteve të shkollës, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.
Dy persona të tjerë u gjetën të pajetë në një banesë në zonë, dhe autoritetet po hetojnë lidhjen e mundshme të kësaj ngjarjeje me sulmin në shkollë.
E dyshuara për të shtënat u gjet e vdekur brenda shkollës. Policia bën të ditur se dyshohet që ajo t’i ketë dhënë fund jetës së saj. Sipas hetuesve, nuk ka indikacione për të dyshuar të tjerë dhe nuk besohet të ketë rrezik të mëtejshëm për publikun.
Dy persona janë transportuar me helikopter drejt spitalit në gjendje kritike, ndërsa rreth 25 të tjerë po marrin trajtim dhe vlerësim mjekësor në qendrën shëndetësore lokale.
Shefi i Distriktit Verior, Ken Floyd, deklaroi se situata ishte dinamike dhe u zhvillua me shpejtësi, duke theksuar se reagimi i koordinuar mes shkollës, shërbimeve të emergjencës dhe komunitetit ishte vendimtar në menaxhimin e incidentit.
“Mendimet tona janë me familjet dhe të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje tragjike. Kjo ka qenë një ditë jashtëzakonisht e vështirë për komunitetin tonë”, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa në terren janë angazhuar edhe njësi shtesë, përfshirë Njësinë e Krimeve të Rënda.


