A mbetet procesi i anëtarësimit i bazuar në meritë apo dominon gjeopolitika?
Ka një tension midis nevojave gjeopolitike dhe parimit meritor. Të dyja janë të rëndësishme. Por nuk mund të pranojmë vende që nuk janë gati për tregun e përbashkët apo që nuk mund të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Prandaj, parimi i meritës mbetet themeli i procesit të zgjerimit. Përmes tij përgatiten vendet në shumë fusha, veçanërisht në lirinë e medias dhe sistemin e drejtësisë.
Si po e ndihmon BE-ja Moldavinë përballë ndikimit rus?
Propaganda ruse është jashtëzakonisht agresive, sidomos në Moldavi. Rusia po investon miliona euro për ta penguar Moldavinë të ndjekë rrugën evropiane. Por ne e kemi përmirësuar qasjen tonë. Për herë të parë kemi dërguar një ekip të reagimit të shpejtë hibrid nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, bashkë me ekspertë nga disa vende anëtare. Po ndihmojmë qeverinë moldave të luftojë narrativat ruse që përhapin frikën se anëtarësimi në BE sjell luftë apo humbje të identitetit. Unë vij nga një vend më i vogël se Moldavia – dhe anëtarësimi në BE ka ndihmuar në ruajtjen e identitetit tonë. Kjo është një qasje e re, që po zbatojmë edhe për Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
A janë Ukraina dhe Moldavia të lidhura në këtë proces?
Për momentin po dhe ne mbështesim hapjen sa më të shpejtë të kapitullit të parë për të dyja vendet.
Si i komentoni protestat dhe kërkesat e qytetarëve në Serbi?
Serbia është në një situatë të vështirë. Bashkimi Evropian e mbështet rrugën evropiane të Serbisë dhe të popullit të saj. Por, megjithëse është vend kandidat prej shumë vitesh, nuk i ka përmbushur ende reformat e nevojshme. Ne po ndihmojmë që këto reforma të përmbushen. Protestat që shohim prej muajsh janë një shprehje e qartë e pakënaqësisë së qytetarëve. Çdo qeveri duhet të dëgjojë qytetarët e vet. Në shumë pika, protestuesit kërkojnë të njëjtën gjë që kërkon edhe BE-ja: sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias. Kemi një interes të përbashkët dhe shpresoj që do të mund të ndihmojmë në stabilizimin e vendit.
Në Gjeorgji shihen flamuj të BE-së gjatë protestave. Pse mungojnë në Serbi?
Kam folur me shumë qytetarë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi. Ja çfarë më kanë thënë në mënyrë të përmbledhur: së pari, thonë se BE-ja e mbështet presidentin Vuçiq. Së dyti, ju na keni bombarduar – edhe pse ishte NATO. Së treti, ju doni që Serbia të njohë Kosovën. Dhe së katërti, nuk duam të zemërojmë Rusinë. Këto ndjenja duhet të merren seriozisht. Duhet të komunikojmë më mirë përfitimet e zgjerimit.
Si mund të anëtarësohet Serbia në BE, pa u zgjidhur çështja e Kosovës?
Zgjedhja për në BE sjell përgjegjësi. Askush nuk e detyron Serbinë. Por nëse thotë “po”, duhet të përmbushë detyrimet. Nëse arrijmë ta shpjegojmë më mirë pse BE-ja është e dobishme për Serbinë dhe sjellim investitorë që hapin vende pune, atëherë jemi në rrugë të mirë.
Si veproni me vende anëtare si Hungaria që bllokojnë zgjerimin?
Në procesin e anëtarësimit nevojiten vendime unanime. Hungaria organizoi një konsultim publik ku disa politikanë thanë se qytetarët janë kundër anëtarësimit të Ukrainës. Por ne kemi një sondazh nga Eurobarometri që tregon se mbi 60% e qytetarëve hungarezë mbështesin zgjerimin. Zgjidhja është dialogu konstruktiv dhe shpresojmë të gjejmë rrugëdalje bashkë me të gjitha vendet anëtare.
A keni një plan konkret për Viktor Orbán?
Nuk kemi plan për Orbán. Kemi plan për procesin e anëtarësimit – dhe brenda këtij kuadri do të gjejmë zgjidhjen.


