SHËNGJIN– Ka mbërritur nga Italia në Shëngjin anija me 49 emigrantë të paligjshëm nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Theksojmë se ky është grupi më i madh i emigrantëve që zbarkojnë në vendin tonë, që pas nisjes së zbatimit të marrëveshjes Itali – Shqipëri.
NJOFTIMI:
Shëngjin, Lezhë
Në portin e Shëngjinit u ankorua anija e marinës italiane, me 49 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare.
Tashmë pas mbërritjes emigrantët do t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse.
Pas dy muajsh ndalesë ka rinisur marrëveshja Itali-Shqipëri për transferimin e emigrantëve në qendrat përtej Adriatikut për një riatdhesim më të shpejtë.
Lidhur me këtë ngjarje kryeministrja italiane është shprehur disa herë se nuk dëshiron të heqë dorë, i është besuar anijes patrulluese të Marinës “Cassiopea”, e cila tashmë monitoron detin në Lampeduza.
Më parë gjatë periudhës tetor-nëntor, ka qenë anija “Libra” ajo që sillte emigrantët, por 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Gjadrit u liruan me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet.
Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar./Radar.al

