Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar për të dytën ditë radhazi kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke kritikuar qëndrimin e Italisë ndaj zhvillimeve në Iran dhe duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Romës po kalojnë një moment të vështirë.
Në një intervistë për median amerikane, Trump deklaroi se raporti me Italinë “nuk është më i njëjti”, duke shtuar se vendet që nuk kanë ofruar mbështetje për menaxhimin e krizës me Iranin nuk gëzojnë më të njëjtin nivel marrëdhënieje me Shtetet e Bashkuara.
Ai iu referua edhe varësisë energjetike të Italisë, duke përmendur importet e naftës që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një zonë kyçe që mbetet nën tension për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, Giorgia Meloni nuk iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të Trump, por gjatë një takimi në Romë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi rëndësinë e unitetit mes SHBA-së dhe Evropës.
“Aleanca euroatlantike nuk mund të ndahet”, deklaroi Meloni, duke paralajmëruar se një Perëndim i përçarë do të ishte në favor të Rusisë dhe do të dobësonte sigurinë evropiane.
Presidenti ukrainas Zelensky vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kievit, ndërsa qeveria italiane konfirmoi se do të vijojë bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes, përfshirë prodhimin e përbashkët të sistemeve ushtarake dhe dronëve.
Ndërkohë, Italia ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë, si dhe për të vazhduar ndihmën humanitare dhe financiare për Ukrainën.
Përplasja e fundit mes Trump dhe Melonit shihet si sinjal i një ftohjeje të mundshme të marrëdhënieve mes Romës dhe Uashingtonit, në një kohë kur krizat në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë po ndikojnë fort në balancat ndërkombëtare.

