HIMARË– Fredi Beleri nga qelia, ka kërkuar që të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit Europian. Kujtojmë se Beleri është një nga eurodeputetët e Nea Demokracia, partisë së Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së.
Sipas gazetares, Klodiana Lala, mësohet se Fredi Beleri i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian që do të mbahet më 15 korrik.
Vetëm 3 ditë më parë, mandati i Belerit si kryebashkiak i Himarës u shpall i pavlefshëm nga KQZ. Ai është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, ndërsa u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023. Gjithsesi arrestimi nuk e pengoi Belerin që të fitonte Bashkinë e Himarës, por detyrën e Kryebashkiakut që nuk arriti ta ushtronte.
Në një kohë që ka humbur funksionin si kryebashkiak i Himarës, për shkak të ligjit të dekriminalizimit, Presidenti Begaj dekretoi datën 4 gusht për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës.
Beleri si eurodeputet kërkon të marrë pjesë në seancën e parë të Parlamentit Europian. Ende nuk ka një informacion nëse do lejohet kjo gjë./Radar.al