Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Peshkopi, në prag të mitingut përmbyllës të Sali Berishës. Një automjet tip “Golf”, i drejtuar nga 27-vjeçari Alban Shoti, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan berberhane, duke lënë të plagosur rëndë një punonjës policie dhe një ndihmës berber.
Efektivi Veli Gjura, i cili ndodhej në shërbim për garantimin e rendit gjatë zhvillimit të aktivitetit elektoral të opozitës, është goditur nga makina dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në kryqëzimin Velia. Verifikimet paraprake kanë zbuluar se drejtuesi i mjetit ishte nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Ai është shoqëruar në komisariat dhe po përballet me veprime procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

