Në seancën e sotme në Parlamentin e Shqipërisë, Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, u përball sot për rreth 4 orë me akuza e kritika të shumta nga deputetët e opozitës.
Deputetët demokratë Tritan Shehu, Flamur Noka, Elda Hoti, Edi Paloka dhe Albana Vokshi nuk kursyen kritikat ndaj tij, duke e përfshirë në kritikat e tyre rastin për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Maxhoranca nga ana e saj duket se e “braktisi” kreun e SPAK, duke e lënë atë të përballet vetëm me çdo akuzë dhe pyetje që u drejtua nga opozita.
Drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj, u përpoq të mbajë rendin, por nuk e ndërpreu opozitën kur ata përdornin komente të ashpra në drejtim të Altin Dumanit.
Në këtë atmosferë të tensionuar, ish-kryeministri Pandeli Majko ishte i vetmi që shfaqi një moment mbështetjeje për Altin Dumanin, duke kërkuar që opozita të mos e trajtonte atë si një person i afërt me Berishën.
Gjatë kësaj seance 4-orëshe, Altin Dumani u përpoq të mbante qëndrueshmërinë, megjithëse një deklaratë e tij për “krimin intelektual” bëri që opozita të intensifikonte akuzat dhe ironitë ndaj tij.
Kjo deklaratë u përdor nga deputeti Edi Paloka për ta ironizuar Dumani, duke e shfrytëzuar si mundësi për t’i kundërpërgjigjur.
Kreu i SPAK-ut nuk u ndal dhe u përpjek të përgjigjej secilës pyetje dhe kritikë me seriozitet, ndërkohë që tensioni mes dy palëve vazhdoi të rritej gjatë gjithë seancës.
Pjesë nga debati:
Tritan Shehu: Përse Berisha mbahet i izoluar? Përse po shkelet Kushtetuta, a nuk mendoni se cenoni cilësinë e Kuvendit? Kur një prokuror shkel ligjet del se me urdhër kujt bëhet? Me urdhër të kujt u bë? Të kryeministrit, të dikujt tjetër? Kush fshihet pas kësaj loje? Po shkelni parimet me të katër këmbët, a nuk gjykoni se bëheni pjesë e politikës, duke e kthyer Berishën në një të burgosur politik?
Altin Dumani: Lidhur me rastin e parë edhe kjo çështje është në fazën e hetimit paraprak. Ju pretendohet dhe parashkruar në këtë seancë se nuk ka shkaqe apo kushte për caktim mase sigurimi. Referojuni vendimit të gjykatës. Ju thoni se nuk ka akuzë por, vendimi i gjykatës e ka bërë të qartë veprën penale. Lëshuat akuza të rënda në drejtimin tim.
Elda Hoti: Z.Dumani për ta përmbyllur,përse SPAK nuk kryen asnjë veprim hetimor për Titullarin e Bashkisë Tiranë, i cili ka ideuar, firmosur vjedhjen 5D? Jemi korrekt të themi që ju skeni leje nga Edi Rama për të prekur kolegun tuaj Erion Velia? A mendon SPAK se, si Kryeministri Rama, që nuk ka aftësinë për të kontrolluar, babëzinë dhe oreksin e hajdutëve që kishte e ka në staf, edhe Erion Veliaj ka të njëjtën të metë, mungesë aftësie për të kontrolluar hajdutët? Pra e thënë me pak fjale SPAK konkludon në hetimet e saja se, si Edi Rama ashtu dhe Erion Veliaj janë viktima të njerzve që i rrethojnë?
Altin Dumani: Jam drejtues i prokurorisë së posaçme dhe drejtoj një institucion të pavarur që meriton respekt për punën që bën. Kritikat janë të mirëpritura por që të hedhësh akuza dhe të fyesh prokurorë të cilët janë angazhuar me mish e me shpirt në hetimin e çështjeve kjo është e papranueshme.
Vokshi: Cili është statusi i hetimit për katër koncesionet në Shëndetësi?
Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër është në hetim. Për informacionet drejtohu institucionit.
Vokshi: Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?
Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë.
Dumani: Është çështje në hetim dhe nuk mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.
Korreshi: Nga SPAK është mbajtur dy standarde. Për zotin Ahmetaj janë dërguar një dokumentacion në Këshillin e Mandateve dhe më pas është hequr imuniteti. Gjatë seancës me dyer të mbyllura kemi kërkuar të merrej masa, pasi zoti Ahmetaj po çante ferrën. Për Berishën nuk u mbajt ky standard.
Si ka mundësi në rastin e fundit të urdhërndalimeve për inceneratorët, asnjë nuk është arrestuar por kanë çarë ferrat, janë larguar nga Shqipëria?
Dumani: Të dyja janë çështje në hetim paraprak, dhe nuk flas dot. Dhe për çështjen e tyre, është hetim paraprak. Është hetim kompleks dhe përfshin disa struktura. Nuk mund të ndaj asgjë më tepër. Kur të kemi një konkluzion të saktë, do të dalim për një njoftim për mediat.