Një vit pas vrasjes së 33-vjeçarit Erjon Pelivani në Greqi nga kunati i tij, Fatmir Tarellari, nëna e viktimës thyen heshtjen në një rrëfim tronditës për emisionin “Me Zemër të Hapur”. Ngjarja që tronditi opinionin publik u shoqërua fillimisht me akuza të rënda për abuzim seksual, por hetimet e fundit kanë zbuluar një të vërtetë të dhimbshme.
Sipas autoriteteve greke, vajza 19-vjeçare – e bija e autorit të krimit – ka pranuar se ka falsifikuar mesazhet që implikonin viktimën në një ngjarje të paqenë. Hetimet nuk gjetën asnjë provë që të mbështeste akuzat për abuzim.
Në një lidhje telefonike, nëna e Erjonit tha se familja po përjeton një dramë të dyfishtë: humbjen e djalit dhe zbardhjen e vonuar të pafajësisë së tij.
“Djali im nuk kishte asnjë lidhje me vajzën. Të gjitha mesazhet dolën të sajuara. Hetimet treguan se nuk kishte asnjë provë ndaj tij. Vajza i komunikonte dikujt tjetër dhe për t’u mbrojtur, fajësoi djalin tim”, u shpreh ajo me lot në sy.
E ëma kujton se Erjoni u thirr në një vend të izoluar me pretendimin se kunatit i ishte prishur makina. Edhe pse marrëdhëniet me të ishin të ftohta, ai vendosi të ndihmonte. “E masakroi në fytyrë. E priste vdekja. Ne nuk e pamë trupin e tij kurrë, vetëm një foto gjatë gjyqit… e kishte bërë copë.”
Ajo e mbylli rrëfimin e saj me dhimbjen e një nëne që kërkon drejtësi për të birin: “Jemi prindër dhe nuk ndihesh mirë kur e kalon këtë dhimbje. Por drejtësia më në fund po del në dritë.”