Është zhvilluar seanca e radhës në Greqi për 39-vjeçarin shqiptar Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në nëntor të vitit 2024, krim që tronditi opinionin publik.
I pandehuri ka mohuar akuzën për vrasje me paramendim, duke deklaruar para gjykatës se krimi ka ndodhur në gjendje të rënduar psikologjike. Ai kërkoi falje për veprimin e tij, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe familjes së viktimës.
Në sallën e gjyqit ka dëshmuar edhe nëna e viktimës, Alba, e cila rrëfeu me dhimbje momentet para dhe pas ngjarjes. Ajo tregoi se i pandehuri e kishte telefonuar duke u shtirur i shqetësuar për vajzën e saj dhe duke pretenduar se ajo ishte larguar nga shtëpia.
Sipas saj, vajza kishte shprehur më herët shqetësime për jetën familjare, duke theksuar se punonte shumë për të mbajtur familjen, pasi bashkëshorti nuk siguronte të ardhura.
Në një moment tepër emocional, nëna e viktimës shpërtheu në lot në sallën e gjyqit, duke thënë: “Nuk dua që t’i bëjnë asgjë, dua që ai të ma kthejë vajzën. A mundem?”
Seanca e radhës pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm, ndërsa drejtësia greke vijon shqyrtimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

