Site icon Informohu siç duhet

Lufta në Iran rrit çmimet e biletave ajrore

Rritja e çmimit të kerozinës dhe mungesat në furnizim mund të çojnë në bileta më të shtrenjta dhe më pak fluturime në muajt e verës. Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara ndaj mungesave të mundshme të kerozinës.
Rritja e çmimeve të karburantit
si pasojë e luftës në Iran po fillon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në industrinë ajrore në mbarë botën. Sipas International Air Transport Association (IATA) çmimi i një barreli kerozine është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar mesatarisht që nga fundi i shkurtit.Eksperti i aviacionit Cord Schellenberg tha për Tagesschau se kerozina është një produkt specifik që prodhohet në sasi të kufizuara dhe ka një treg relativisht të kufizuar. Kjo, sipas tij, e bën tregun shumë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të mëdha të çmimeve. Si pasojë rritja e çmimit të kerozinës pritet të reflektohet edhe në çmimet e biletave të avionëve.

Reduktimi i numrit të fluturimeve

Përveç çmimeve më të larta pasagjerët mund të përballen edhe me më pak mundësi udhëtimi. Schellenberg parashikon se në muajt në vijim linjat ajrore do të fillojnë të anulojnë fluturimet që nuk janë ekonomikisht të leverdishme.

Kjo prirje ka nisur tashmë. United Airlines ka njoftuar se do të shkurtojë rreth 5% të kapacitetit të planifikuar për këtë vit. Edhe kompani aziatike, si Vietnam Airlines, do të reduktojnë numrin e fluturimeve për shkak të mungesës së kerozinës.

Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara

Paralajmërime kanë ardhur edhe nga Ryanair. Drejtori i saj ekzekutiv Michael O’Leary tha se nëse konflikti vazhdon kompanitë e avionëve në Evropë mund të përballen me ndërprerje furnizimi me kerozinë në fillim të verës. Sipas tij, nëse lufta zgjat deri në maj, rrezikohen 10–20% e furnizimit me karburant gjatë muajve të verës, gjë që do t’i detyrojë kompanitë të anulojnë fluturime ose të reduktojnë kapacitetet.

IATA ka paralajmëruar se Evropa është një nga rajonet më të ekspozuara ndaj mungesave të mundshme të kerozinës, pasi rreth 25–30% e kërkesave të saj bazohen tek furnizimet nga Gjiri Persik.

Shtrenjtim i biletave të avionit

Ndikimi i konfliktit është përkeqësuar edhe nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një pikë kyçe për transportin botëror të naftës dhe të gazit. Kjo i ka rritur më tej çmimet e energjisë dhe shqetësimet për furnizimin.

Megjithëse deri tani ndikimi në çmimet e biletave është i kufizuar, pritet që ato të rriten me 3 deri në 4% nga prilli në qershor, ndërsa situata mbetet e pasigurt nëse konflikti vazhdon./DW

Exit mobile version