Ministria e Brendshme e Italisë mësohet se po merret me përgatitjen e listave të emigrantëve që pritet të transferohen në kampin në Gjadër.
Media italiane “La Reppublica”, raporton se emigrantët që shkelin në tokën shqiptare kësaj radhe nuk do të kthehen më pas.
Bëhet fjalë për persona që në pritje të dëbimit u mbajtën në qendra të tjera italiane të riatdhesimit.
Këto të fundit sipas Ministrisë së Brendshme kanë nisur të regjistrojnë kapacitetet e plota.
“La Reppublica” bën me dije se emigrantëve që pritet të transferohen në Gjadër janë tunizianë, egjiptianë, marokenë dhe shqiptarë.
Sa i përket këtyre të fundit, bëhet fjalë për shqiptarët që nuk janë të pajisur me letra të cilët mund të përfundojnë në Gjadër, në mënyrë që të pranohen nga qeveria në Tiranë.
Riatdhesimi aktual i shqiptarëve në fjalë do të ishte më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm.
Për të gjithë të tjerët, sipas rregullave të vendosura me kryeministrin Edi Rama në protokollin në fuqi, do të duhet sërish kthimi në Itali përpara se të nisin me procedurat e riatdhesimit.