Mediat çeke raportuan se disa persona të akuzuar për përfshirje në një komplot për vrasjen e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, janë liruar nga autoritetet. Mes tyre është edhe një shtetas shqiptar, identiteti i të cilit tashmë është bërë i ditur.
Ambasada shqiptare në Brazil ka konfirmuar se shtetasi shqiptar me inicialet J.N. është liruar dhe aktualisht ndodhet pranë Kryqit të Kuq në Venezuelë, në pritje të autorizimit për të udhëtuar drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për të ndjekur procedurat e nevojshme të kthimit të tij në atdhe. Gjithashtu, Ambasada ka bërë me dije se është në komunikim edhe me familjarët e qytetarit të liruar, të cilët kanë zhvilluar biseda telefonike me të pas lirimit.
Procesi për riatdhesimin e tij pritet të vijojë sapo të merret leja përkatëse nga autoritetet vendase.

