Disa ditë para se të niste viti i ri shkollor, një diskutim i ashpër u ndez në rrjetet sociale lidhur me kopertinën e librit të Gjuhës Shqipe për klasën e tretë.
Aty shfaqej një zanë, me mjekër dhe fustan shumëngjyrësh, i ngjashëm me flamurin e komunitetit LGBT.
Ky portretizim ka ngjallur reagime të ndryshme në publik, duke ngritur pyetje mbi mesazhet që u përcillen fëmijëve përmes këtyre materialeve mësimore.
Avokatja Dorina Prethi tha se ky debat nuk është gjë tjetër veçse një teknikë për të çuar axhendën e diskutimit në situata shumë minimaliste, nëse e krahasojmë me problematika të tjera në sistemin arsimor.
“Pa dashur që të anashkalojmë problemet që ka sistemi arsimor, problemi kryesor është që sot kanë nisur shkollën 125 mijë nxënës më pak se 10 vjet më parë. Tekstet dhe mesazhet e tyre që përcillen janë një problem serioz. Kam ngritur zërin edhe për problematika të tjera, por nuk janë bërë mediatike. Sistemi arsimor parauniversitar ka qëllim që të forcojë aftësinë tek fëmijët që të mësojnë se kush janë në jetë. Kjo kopertinë nuk ka vajtur si mesazh tek fëmijët, askush nuk ju ka thënë që të shkojnë ta bëjnë problem në shkollë. Kjo është qasje e prindërve, jo e fëmijëve,” –u shpreh avokatja.
Sipas saj, ajo çka është realisht për tu shqetësuar vërtetë është fakti që ylberi është privatizuar nga komunitetit LGBT dhe sot po kanalizohet si simbol i tyre edhe pse në vetvete paraqet një dukuri natyrore.

