Dean Huijsen e nisi në mënyrë premtuese aventurën e tij te Real Madridi pas transferimit nga Bournemouth verën e kaluar, por në javët e fundit forma e tij ka rënë. Disa paraqitje jo bindëse gjatë dy muajve të fundit kanë sjellë pikëpyetje rreth performancës së tij, veçanërisht në ndeshjet e mëdha.
Megjithatë, disa ish-ikona të klubit vazhdojnë ta mbështesin mbrojtësin e ri. Manolo Sanchis, ish-lojtar i Real Madridit, theksoi për “Diario AS” se Huijsen ka cilësi shumë të larta për të luajtur në qendër të mbrojtjes. Ai vlerësoi aftësinë e tij për të dalë me topin dhe intuitën në lojë, duke shtuar se, pavarësisht disa dobësive, mosha dhe potenciali i tij i lejojnë t’i korrigjojë ato me kalimin e kohës.
Sanchis pranoi se Huijsen ka pasur vështirësi në disa përballje, si ndaj Liverpoolit dhe Sevillas, ku ka hasur probleme fizike dhe pasiguri me topin. Megjithatë, sipas tij, baza e lojtarit është shumë e fortë dhe e ardhmja e tij te Real Madridi mbetet premtuese.
Edhe Rafa Alkorta ndau të njëjtin mendim, duke theksuar se përshtatja me kërkesat e Real Madridit nuk është e lehtë, sidomos për një lojtar kaq të ri. Ai vlerësoi faktin që Huijsen përdor me lehtësi të dyja këmbët dhe ka aftësi të rrallë për të ndërtuar lojën nga prapa, elemente që i japin më shumë alternativa në fushë.
Nga ana tjetër, Ivan Campo u shpreh i kënaqur me përshtatjen e Huijsen te Real Madridi, por nënvizoi se ai duhet të përmirësojë aspektin mendor të lojës. Sipas tij, presioni i madh që shoqëron veshjen e fanellës së Realit kërkon përqendrim maksimal, pasi çdo gabim vihet menjëherë në pah. Campo theksoi se me më shumë përvojë, Huijsen ka potencialin të shndërrohet në një nga mbrojtësit më të mirë qendrorë në botë.

