Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi sot se Gjermania dhe vende të tjera evropiane, sipas Moskës, kanë dështuar të shfrytëzojnë shanset për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
“Ju i keni pasur shanset tuaja. Ju nuk i përdorët ato, thjesht i shpërdoruat”, tha Lavrov, duke iu referuar marrëveshjeve të Minskut, sipas agjencive ruse.
Marrëveshjet e Minskut, të ndërmjetësuara nga Gjermania dhe Franca në vitet 2014 dhe 2015, synonin t’i jepnin fund luftës në lindje të Ukrainës përmes një formule autonomie për rajonin e Donbasit – një zonë që sot është kryesisht e pushtuar dhe e aneksuar ilegalisht nga Rusia.
Lavrov theksoi se tani “nuk mund të ketë asnjë sugjerim për ndërmjetësim nga Berlini dhe Parisi”, duke përmendur si alternativa të mundshme Bjellorusinë, Turqinë dhe Hungarinë.
Ai gjithashtu vlerësoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, të cilat – ndryshe nga Londra, Brukseli, Parisi dhe Berlini – sipas tij kanë marrë iniciativën për të kërkuar zgjidhje diplomatike.
Shefi i diplomacisë ruse iu referua shkurtimisht edhe negociatave mbi planin e paqes të propozuar nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke shtuar:
“Presim që SHBA-ja të na njoftojë sapo të përmbyllë konsultimet me regjimin ukrainas dhe me partnerët evropianë.”

