Fundjava kanadeze nuk rezultoi ndër më të mirat për Lara Colturin. Skiatorja kuqezi u rendit në vendin e 15-të në garën e dytë të Slalomit Gjigant në Tremblant të Kanadasë, një rezultat më i mirë se ai i së shtunës, por larg pritshmërive të zakonshme për të.
Duhet theksuar se pista e Tremblant-it nuk i përshtatet stilit dhe karakteristikave të 19-vjeçares, ndaj mungesa në podium ishte e pritshme.
Në zbritjen e parë, Colturi regjistroi kohën 1:08.78 dhe u pozicionua e 11-ta, duke realizuar një paraqitje solide në një pistë që zakonisht e penalizon. Në zbritjen e dytë, ajo u rendit e 15-ta me kohën 1:06.67, për një total prej 2:15.45, duke mbyllur garën në vendin e 15-të dhe duke shtuar edhe 16 pikë të tjera në klasifikim.
Megjithë rezultatin jo ideal, Lara Colturi vijon të mbajë vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës me 302 pikë. Në krye qëndron Mikaela Shiffrin me 458 pikë, ndërsa në vendin e tretë pozicionohet Alice Robinson me 292 pikë, vetëm 10 më pak se skiatorja jonë kuqezi.


