Lando Norris ka folur pas triumfit të madh që i siguroi titullin e parë të kampionit në Formula 1, duke zbuluar emocionet dhe presionin që e shoqëruan në garën vendimtare të sezonit.
Piloti i McLaren pranoi se, pavarësisht përpjekjeve për të mbajtur qetësinë, ideja e kampionatit i qëndronte vazhdimisht në mendje.
“E mendoja, s’mund të mos e mendoja,” tha Norris. “Gara ishte shumë e gjatë dhe e dija që në Formula 1 gjithçka mund të ndodhë. Vazhdoja të shtyja deri dy a tre xhirot e fundit, kur mund të merrja frymë më lirshëm.”
Britaniku theksoi se ky ka qenë një nga sezonet më konkurrues të karrierës së tij:
“Kemi luftuar deri në fund. Max Verstappen gjithë kohës pas nesh, Oscar Piastri që afrohej në fund… askush s’ma bëri jetën të lehtë këtë vit.”
Norris komentoi edhe momentin kur u raportua se ishte nën hetim gjatë garës vendimtare:
“Nuk kisha asnjë ide dhe sinqerisht nuk më interesonte. E dija që gjithçka që kisha bërë ishte brenda rregullave. Doja vetëm të shijoja momentin. Nuk ka shumë njerëz në botë që përjetojnë këtë që përjetova unë këtë sezon.”
Pas nëntë viteve me McLaren, ai tha se ky titull ishte po aq i rëndësishëm për ekipin sa edhe për të personalisht:
“Ka qenë një rrugë e gjatë, me periudha të vështira dhe momente të mira. T’u sjell titullin pas kaq vitesh… ndiej sikur i dhashë diçka skuadrës që ka besuar gjithmonë tek unë. Jam shumë krenar.”
Norris e mbylli me buzëqeshje:
“Jam edhe më krenar nëse kam arritur t’i bëj disa prej tyre të qajnë nga gëzimi.”

