Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite shërbim prove Fatos Tushen, ish kryebashkiakun socialist të Lushnjes këtë të mërkurë, 9 tetor.
SPAK kishte kërkuar 17 muaj burg për ish kryetarin e Lushnjës. GJKKO dënon Tushen për mosdeklarim pasurie, ndërsa më herët ai ishte dënuar për shpërdorim detyre.
Akuza dhe dënimi i parë
Ish-kryebashkiaku socialist i Bashkisë Lushnjë Fatos Tushe, u dënua në vitin 2022 nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai u përball sërish në gjykatë, nën akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.
Sipas SPAK, Tushe disponon “de facto” një apartament në Lungomare të Vlorës me sipërfaqe 82 metra, shpenzimin për blerjen e së cilit, 2.3 milionë lekë, si dhe nuk ka deklaruar blerjen e dy automjeteve me vlerë totale gati 47 mijë euro në vitin 2021.
“Nga tërësia e akteve dhe e provave të administruara gjatë hetimit, provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se i pandehuri Fatos Tushe, ish – kryetar i Bashkisë Lushnje, ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve në këto deklarata”, shkruhet në njoftimin e SPAK.
Tushe u arrestua në vitin 2021, një nga operacionet më të hershme të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi hetimet e kryera përmes përgjimeve dhe analizimit të dokumenteve zbuloi një skemë të manipulimit të tenderëve dhe vjedhjes së karburantit të blerë për përdorim të bashkisë.
Gjatë procesit gjyqësor, Tushe doli i pafajshëm për akuzën e korrupsionit dhe u dënua me 2 vjet e 4 muaj për abuzim me detyrën. Ai përfundoi dënimin dhe u lirua nga burgu në janar 2023.
Tushe ka qenë kryebashkiak jetëgjatë i Bashkisë Lushnje nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe nga viti 2011 deri në vitin 2021 kur u shkarkua për shkak se u arrestua nga SPAK. Ai ka qenë deputet socialist mes viteve 2009 dhe 2011.


