Presidenti amerikan Donald Trump do të zhvillojë një takim urgjent me ekipin e tij të sigurisë kombëtare lidhur me përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit. Takimi do të mbahet të martën në Dhomën e Situatave të Emergjencës në Shtëpinë e Bardhë.
Trump është kthyer më herët nga samiti i G7 për t’u fokusuar tek tensionet në Lindjen e Mesme. Gjatë fluturimit me Air Force One, ai deklaroi për gazetarët se nuk është i interesuar për një “armëpushim të përkohshëm”, por për një “zgjidhje të plotë dhe përfundimtare” që do t’i japë fund luftës dhe ambicieve bërthamore të Iranit.
Në Uashington po shqyrtohet mundësia e një takimi të drejtpërdrejtë me përfaqësues iranianë këtë javë, megjithatë Trump theksoi se një vendim për këtë do të merret pas vlerësimit të situatës pas kthimit të tij në kryeqytet.
Nga ana tjetër, zyrtarët izraelitë mbeten të bindur se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë ushtarakisht për të goditur objektivat bërthamore të Iranit, duke përfshirë edhe kompleksin e pasurimit të uraniumit nëntokësor në Fordow.


