Kuvendi i Shqipërisë mbulon shpenzimet e qirasë për 19 deputetë që vijnë nga qytete të largëta. Nga kjo kategori përfshihen 10 deputetë të Partisë Socialiste, 5 të Partisë Demokratike, si dhe nga 2 deputetë të PSD-së dhe PDIU-së, të cilët marrin një kompensim prej 350 mijë lekësh të vjetra për akomodimin e tyre në Tiranë.
Përpara dhënies së këtij kompensimi, Kuvendi kërkon nga deputetët që të paraqesin një certifikatë familjare, vërtetim nga hipoteka e Tiranës që konfirmon se asnjë anëtar i familjes së tyre nuk zotëron pronë në kryeqytet, dhe një kopje të kontratës së qirasë.
Kostoja mujore për këtë shërbim arrin në 7 milionë lekë të vjetra. Nga radhët e Partisë Socialiste, përfitues të këtij kompensimi janë deputetët: Antoneta Dhima, Fadil Nasufi, Teuta Ramaj, Baftjar Zeqaj, Enslemvera Zake, Niko Kuri, Anduel Tahira, Pranvera Resulaj dhe Mirela Pitushi.
Gjithashtu, deputetët e PSD-së Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi nga Shkodra përfitojnë nga kjo skemë.
Ndër demokratët, kompensim për qiranë marrin: Saimir Korreshi, Eralda Bano, Greta Bardeli, Sorina Koti dhe Arbi Agalliu. Deputetët çamë, Gëzim Ademaj dhe Nusret Avdulla, gjithashtu përfitojnë nga kompensimi prej 350 mijë lekësh çdo muaj.

