PRISHTINË– Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të premten në përpjekjen e gjashtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.
Haxhiu i mori 57 vota për, katër më pak se minimumi prej 61 votave të nevojshme për t’u emëruar.
Haxhiu nuk u votua për kryetare në katër seanca radhazi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave dhe kundërshtimeve.
“Kuvendit kemi dashur t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Ai tha se kundërshtimet ndaj kandidaturës së Haxhiut “janë më shumë taktika sesa ndonjë arsye konkrete”.
Murati u bëri thirrje partive të tjera parlamentare të “reflektojnë”./REL