Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Onejda Ymerajt, e cila kundërshtoi sekuestrimin e celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një procedimi penal ku ajo nuk ishte subjekt hetimi.
Ymeraj pretendoi shkelje të së drejtës për fshehtësinë e korrespondencës, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së pronës private. Gjatë shqyrtimit, Kushtetuesja vlerësoi se komunikimet elektronike dhe mesazhet online përbëjnë forma moderne të korrespondencës që mbrohen nga neni 36 i Kushtetutës.
Në përfundim, gjykata konstatoi se për pjesët e të dhënave që nuk lidhen me objektin e hetimit penal është cenuar e drejta për fshehtësinë e korrespondencës dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Vendimi parashikon:
Asgjësimin e kopjeve të të dhënave që nuk lidhen me hetimin;
Vijimin e sekuestrimit për pjesën tjetër, por vetëm nën kontroll gjyqësor;
Respektimin e garancive procedurale për sekuestrim dhe përpunim të të dhënave;
SPAK ka një afat tremujor për zbatimin e vendimit.
Gjykata theksoi se ky vendim nuk ka efekt prapaveprues për çështje të ngjashme që kanë përfunduar ose nuk janë ankimuar.

