Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Kosova nuk ka një “Plan B” përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kurti ka kërkuar që zgjerimi i BE-së të jetë strategjik, i bazuar në merita dhe real. Këto komente Kryeministri i bëri gjatë një fjalimi në institutin e njohur evropian CEPS (Qendra për Studime të Politikave Evropiane) në Bruksel.
Kurti gjithashtu ka shprehur nevojën urgjente për dhënien e statusit të kandidatit për Kosovën, duke e cilësuar atë si një hap të vonuar. Më tej ai tha se Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe bartëse e vlerave themelore të BE-së, megjithatë mbetet vetëm një kandidate potenciale për anëtarësim në BE.
Ndër të tjera Kurti ka theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një aspiratë politike, por është një domosdoshmëri strategjike.
“Ata që përputhen me CFSP-në e BE-së dhe mbështesin vlerat e BE-së duhet të shpërblehen, jo të mbahen nën masat kufizuese të BE-së. Statusi kandidat për Kosovën është i vonuar”, ka shkruar Kurti në “X”.
Kosova has no Plan B to EU membership. Enlargement must be strategic, merit-based, and real. Those who align with the EU CFSP and uphold EU values must be rewarded, not kept under EU restrictive measures. Candidate status for Kosova is long overdue.
My remarks from today’s… pic.twitter.com/j4tTgzEcau
— Albin Kurti (@albinkurti) April 7, 2025