Këngëtari Gjesti ka reaguar publikisht pas kallëzimit penal të bërë ndaj kompanisë Onima për shkelje të të drejtave të autorit, duke ndarë një mesazh falënderimi për fansat e tij.
Artisti, i cili pretendon se të drejtat e tij janë shitur pa dijeninë dhe miratimin e tij, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që ka marrë nga publiku gjatë kësaj periudhe.
“I dua më së shumti, janë të çmendur. Kurrë nuk më kanë lënë vetëm dhe as unë nuk do t’i lë kurrë”, u shpreh ai.

Sipas Gjestit dhe përfaqësuesit të tij ligjor, kallëzimi lidhet me një kontratë të zbuluar së fundmi, për të cilën këngëtari thotë se nuk ka pasur dijeni. Ata pretendojnë se përmes kësaj kontrate janë shitur të drejtat e autorit dhe janë përfituar të ardhura nga krijimtaria e tij pa autorizim.
Avokati ka bërë të ditur se do të kërkohet një ekspertizë grafologjike për të verifikuar vlefshmërinë e nënshkrimit në dokument, ndërsa nuk përjashtohet paraqitja e provave të tjera gjatë hetimeve.
Mesazhi i artistit ka ngjallur reagime të shumta nga fansat, të cilët kanë shprehur mbështetje të fortë për të. Ai ka paralajmëruar gjithashtu se, pas përfundimit të procesit ligjor, pritet të vijë me projekte të reja muzikore.