Në takimin e parë të fushatës zgjedhore, të zhvilluar me gratë, në lidhje me parlamentaret e 11 majit, kryesocialisti premtoi se forca politike që ai drejton që në fillimet e saj ka patur fokusin te gratë.
Gjatë takimit, Rama theksoi se shumë shpejt vendi ynë do të drejtohet nga një grua.
Sipas tij nuk do të jetë e largët dita kur në karrigen e kreut të qeverisë do të ulet një grua.
“Sot kuvendi drejtohet nga një grua socialiste, e cila zëvendësoi një tjetër grua socialiste. Jam i bindur që nuk është aq e largët dita sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të jetë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as nuk e diskutoj fare se do të jetë socialiste. Shikoni se si kemi rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në kuvendet vendore në këshillat bashkiakë ku ka qenë PS gjatë gjithë kohës, që ka tërhequr të tjerët dhe kur në mënyrë të vazhdueshme ne e kemi vënë si kusht për të kaluar më tej në miratimet e ligjeve zgjedhore”, u shpreh Rama.