Site icon Informohu siç duhet

Kriza energjetike: Brukseli bën thirrje për bashkëpunim

Për të përballuar më mirë krizën energjetike shtetet e BE-së duhet të bashkëpunojnë më ngushtë. Energjia bërthamore pritet të luajë një rol më të madh.

Bashkimi Evropian po i ndjen qartë pasojat e luftës në Iran. Sipas Komisionit Evropian që nga fillimi i konfliktit kostot për importin e lëndëve djegëse fosile janë rritur me rrethh 24 miliardë euro. Si pasojë disa shtete anëtare kanë ndërmarrë tashmë masa për të lehtësuar barrën për konsumatorët dhe bizneset. Deri më sot secili shtet  ka vepruar më vete, por Komisioni Evropian synon tani ta koordinojë më mirë këtë proces dhe ka propozuar një sërë masash, me të cilat shtetet anëtare mund të përballojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi: “duhet të përshpejtojmë kalimin drejt energjive vendase dhe të pastra” që shtetet anëtare të jenë në gjendje të përballojnë më mirë edhe në të ardhmen “stuhi gjeopolitike”.

Komisioni theksoi gjithashtu se vendet e BE-së që përdorin tashmë më shumë energji të rinovueshme ose energji bërthamore dhe që disponojnë “rrjete më fleksibile me kapacitete dhe mundësi të mjaftueshme magazinimi” janë më pak të prekura nga kriza aktuale energjetike dhe luhatjet e forta të çmimeve.

Energjia bërthamore pritet të luajë rol më të madh

Në një dokument të ri strategjik energjia bërthamore konsiderohet si një “përbërës i rëndësishëm” për shmangien e emetimeve të CO₂. Mini-centralet bërthamore dhe “shmangia e mbylljes së parakohshme të kapaciteteve ekzistuese bërthamore” mund të ndihmojnë në uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile.

Përveç kësaj, Komisioni Evropian rekomandon lehtësime tatimore për instalimin e pompave për ngrohje dhe të paneleve diellore, si dhe për blerjen e makinave elektrike.

Sipas dokumentit Brukseli synon gjithashtu të lehtësojë koordinimin mes shteteve anëtare, për shembull për mbushjen e depozitave të gazit, vënien në dispozicion të rezervave të naftës dhe miratimin e masave kombëtare emergjente.

Mbikëqyrje e rezervave të karburanteve

Përveç kësaj, Komisioni Evropian planifikon krijimin e një qendre, e cila do të mbikëqyrë furnizimin dhe rezervat e karburanteve në 27 vendet e BE-së. Konkretisht Komisioni propozon, ndër të tjera, koordinimin e mbushjes së depozitave të gazit në shtetet anëtare, në mënyrë që të shmangen rritjet e menjëhershme të çmimeve si pasojë e blerjeve të mëdha të njëkohshme. Po ashtu synohet optimizimi i shpërndarjes së kerozinës mes vendeve të BE-së për të parandaluar mungesat në trafikun ajror./DW

Exit mobile version