Site icon Informohu siç duhet

Krimi në Roskovec, flasin të afërmit dhe fqinjët: Ishte i vetmi që nuk pinte alkool, familje e respektuar

Pas ngjarjes tragjike në Roskovec, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe më pas veten, të afërm dhe fqinjë kanë ndarë detaje mbi jetën e çiftit dhe rrethanat e mundshme të konfliktit.

Në banesën e familjes, gjatë nxjerrjes së trupit të të moshuarit, situata ka qenë e tensionuar për shkak të reagimeve dhe përplasjeve nga të afërmit e viktimës femër. Ndërkohë, motra e saj është transportuar me urgjencë drejt spitalit në Fier, në gjendje të rënduar psikologjike.

Një banore e zonës ka deklaruar se konflikti mes çiftit nuk ishte i papritur, duke theksuar se disa ditë më parë kishte pasur një mosmarrëveshje në familje. “Tre ditë më parë është konstatuar një konflikt familjar”, është shprehur ajo.

Fqinjët ndërkohë e përshkruajnë çiftin si njerëz të qetë dhe të respektuar në komunitet. Një prej tyre shprehet se Shefit Rrapaj ishte i vetmi burrë në fshat që nuk konsumonte alkool dhe se nuk kishte pasur probleme me të tjerët.

“Ishte një nga gratë më të mira, e respektoja si motrën time. Shefiti nuk pinte alkool fare, ishte i urtë. Nuk e dimë si ndodhi. Ata jetonin vetëm dhe kishin 9 fëmijë, shumica në emigracion. Ndoshta ardhja e djalit të vogël nga Greqia mund të ketë ndikuar,” tha një komshi i çiftit.

Edhe një i afërm i familjes thekson se nuk ka pasur më herët konflikte të njohura mes bashkëshortëve, duke shtuar se ata njiheshin si familje e rregullt dhe e qetë. Sipas tij, mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes, ndërsa dyshohet se konflikti mund të ketë qenë i momentit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Exit mobile version