Laboratori i fekondimit in Vitro në maternitetin “Koco Gliozheni”, pritet të bëhet funksional duke përdorur pajisjet e blera nga Bashkimi Evropian para 10 vitesh. Investigimi i 2021, i INA Media, ndër të tjera, gjeti se pavarësisht investimit të konsiderueshëm, sërisht prindërit që kërkonin të ngrinin një familje, e kishin të pamundur pranë institucioneve publike, duke iu drejtuar privatit me një faturë tejet të kripur.
Mes pikëpytjeve se përse u desh një dekadë që ky laborator të hapë dyert, ekspertët e gjykojnë zgjidhjen e fundit si një mjet jo efektiv për çiftet që vuajnë nga infertiliteti, pasi vetëm 100 raste në vit pritet të trajtohen në spitalin publik.
Në një realitet ku krijimi i një familje shpesh herë quhet “luks” për të pasurit, e jo më një dëshirë e çifteve me vështirësi ekonomike, historia e fekondimit in Vitro në Shqipëri rrëfen sfidat dhe pengesat me të cilat përballen rreth 1000 çifte në vit në këtë rrugë të vështirë drejt prindërimit.
Në vitin 2012, një lajm i mirë i dha shpresë ëndrrës së shumë çifteve në Shqipëri, të cilët pavarësisht dëshirës së madhe për të pasur fëmijë, nuk mundën të realizojnë në klinikat private procedurat e fekondimit in Vitro, të cilat kushtojnë rreth 5 mijë euro.
Rreth 12 vite më parë, një fond prej 25 milion lekësh iu akorduan shtetit Shqiptar, pikërisht për të mundësuar Fekondimin in Vitro në spitalet publike, konkretisht në maternitetin “Koco Gliozheni”. Kjo nismë synonte që qytetarët me sigurime shëndetësore të përfitonin falas nga kjo metodë e riprodhimit të asistuar.
Ndonëse në vitin 2013, në maternitetin “Koço Gliozheni” një sallë laboratori u kompletua me aparaturat e nevojshme për fertilizimin in Vitro, pa asnjë deklarat publike, pa asnjë shpjegim zyrtar, dera e këtij laboratori nuk u hap kurrë për qytetarët.
Duke lënë të shkuarën në harresë, kur kanë kaluar më shumë se 10 vite, deklarata të shumta zyrtarësh tregojnë triumfin e Shqipërisë në këtë proces, ku premtohet se së shpejti do të hapet laboratori i parë in Vitro në spitalet publike.
Në maj 2023, Ministria e Shëndetësisë njoftoi në rrjetet sociale fillimin e zbatimit të projekteve të reja në maternitetin “Koço Gliozheni” për ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës së parë publike të Riprodhimit të Asistuar (IVF).
Ish Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nënvizoi se kjo qendër do të ofronte për herë të parë në Shqipëri procedurën e riprodhimit in Vitro falas.
“Ne jemi duke punuar intensivisht për investimin në infrastrukturë dhe pajisje bio-mjekësore të nevojshme për të filluar këtë procedurë të re në spitalet publike,” theksoi ajo.
Në një kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, INA Media u përpoq të zbulojë se çfarë ndodhi me laboratorin e krijuar dhe pajisjet e blera në vitin 2013, dhe pse ky laborator nuk u bë asnjëherë funksional. Gjithashtu kërkuam të mësojmë më shumë rreth investimit aktual në Maternitetin “Koço Gliozheni”, ku po realizohet Qendrën e Riprodhimit të Asistuar.
Në përgjigjen e ardhur nga ky institucion theksohet se që prej vitit 2019, është planifikuar ngritja e një qendre për teknikat e riprodhimit të asistuar me buxhetet përkatëse, por ngjarja e tërmetit 2019 dhe më pas shpërthimi i SARSCov-19, vuri në plan të dytë këtë proces.
Ndonëse kërkuam informacion mbi vështirësitë kryesore që penguan funksionimin e projektit për Fekondimin in Vitro në strukturat shtetërore pas nënshkrimit të kontratës në vitin 2012, dhe pse qendra e planifikuar për të kryer këtë projekt mbeti e mbyllur, Ministria e Shëndetësisë nuk kthen një përgjigje konkrete por specifikon se përgjatë vitit që lamë pas nisën investimet për laboratorin in Vitro, duke përfshirë edhe blerjet e pajisjeve mjekësore të nevojshme.
“Që në fillimet e vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” nisën investimet përkatëse në infrastrukturë, për përshtatjen e ambjeteve fizike, blerjen e pajisjeve mjekësore të nevojshme, materialeve mjekësore dhe barnave në përputhje me protokollet mjekësore”.
Për të kuptuar se çfarë ndodhi me laboratorin e krijuar vite më parë dhe pajisjet mjekësore të blera për të mundësuar procesin e fekondimit in Vitro, të cilat nuk u vendosën kurrë në përdorim, INA Media ju drejtua maternitetit “Koco Gliozheni”.
Në përgjigjen e ardhur, ky institucion shpjegon se aktualisht është siguruar infrastruktura dhe të gjitha pajisjet mjekësore të nevojshme për këtë qendër dhe nuk është e nevojshme të merren hapa të tjerë. Në përgjigje theksohet se laboratori që pritet të jetë funksional së shpejti, do të përdorë pajisjet e blera 10 vite më parë.
“Pajisjet janë blerë në vitin 2013, e më pas është bërë një punë graduale për plotësimin e kushteve, kritereve dhe kuadrit përkatës për t’a bërë këtë shërbim të funksionojë. Këto aparatura/pajisje kanë qenë të magazinuara dhe sot ato janë pjesë e laboratorit të ri të përfunduar dhe janë totalisht funksionale”.
Pyetjes se kur ky laborator do të hap dyert dhe se si do të sigurohet që ky shërbim të jetë i qasshëm dhe falas për çdo qytetar në nevojë, institucioni i mësipërm nuk i dha përgjigje.
Laboratori in Vitro, zgjidhje sipërfaqësore
Embriologu Marsel Haxhia tregon se edhe nëse departamenti i fekondimit in Vitro bëhet funksional në shtet, zgjidhja e problemit të çifteve që vuajnë nga infertiliteti është sipërfaqësore, kjo pasi sipas deklarimeve nga institucionet përgjegjëse në vit do të trajtohen vetëm 100 raste. Sipas tij evidenca tregon se janë rreth 1000 çifte të cilat nuk mund të realizojnë procesin e fekondimit in Vitro në spitalet private për shkak të pamundësive ekonomike.
“Mendoj që zgjidhja e problemit do të ishte një subvencion nga shteti dhe t’i jepet në dorë pacientit një sasi e caktuar parash sikur vetëm për medikamentet. Për shembull shumë vende i japin 1000 euro si biletë kur pacienti i plotëson kriteret, jo kujtdo, për të bërë fekondimin in Vitro dhe ai e zgjedh vetë klinikën ku e bën”, tregon mjeku Marsel Haxhia.
Më tej doktori ndalet te përqindja e suksesit të fekondimit in Vitro dhe faktit që shpesh kjo procedurë mund të nevojitet të përsëritet.
“Është një procedurë e cila nuk është e sigurt që arrihet dhe ja dilet sa herë që tentohet me të. Duhet t’ju them që mesatarisht shkon diku midis 20% deri në 65%-70% përqindja e suksesit dhe kjo varet nga shumë faktorë, ku më kryesori është mosha e gruas. Kosto e fekondimit in Vitro përafërsisht shkon te rreth 5000 euro”.
Fondi prej 25 milion lekësh, problematikat që shoqëruan procesin
Investigimi i realizuar nga INA media në prill të vitit 2021, publikoi problematikat që shoqëruan krijimin e laboratorit të fekondimit in Vitro në sistemin publik, i cili nuk u bë funksional.
Shkrimi ngriti pikëpytje rreth mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës nga autoritetet shqiptare dhe drejtuesit e maternitetit në lidhje me arsyet dhe mungesën e zhvillimit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian vite më parë.
Në një intervistë të realizuar në atë kohë me ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili preu shiritin e inaugurimit të laboratorit, ky i fundit pranoi se fekondimi in Vitro ishte një prioritet dhe synonte të ofrohej falas. Megjithatë, ai mohon dijeninë për çdo ndryshim apo problem që ka ndodhur më pas, duke e lënë në hije fatin e laboratorit të krijuar.
Mjeku Nderim Horeshka, i trajnuar në Itali për këtë procedurë, u shpreh se salla qëndroi e mbyllur, dhe pajisjet e financuara nga BE nuk u përdorën asnjëherë, megjithëse kërkesat për këtë shërbim janë të larta.
“Në prill të vitit 2014 jemi specializuar në Itali, por askush nuk na ka pyetur asnjëherë. Salla ishte e pajisur me të gjitha. Kur pyesnim, na thoshin se po llogaritet kostoja, sa do kushtojë si proces. Po asgjë më shumë. E di ministria, na thoshin. Salla vijon, është ende, por qëndron e mbyllur”, – deklaroi më herët mjeku Horeshka.
Rigers Balla, embriologu specializuar në Itali, u shpreh se drejtuesit e maternitetit nuk dhanë asnjë shpjegim rreth faktit se pse projekti i financuar nga BE nuk u zbatua kurrë.
Ai ndihej i zhgënjyer, jo vetëm sepse ky projekt u zhbë, por edhe sepse nuk mundi t’i vërë në jetë dijet, për të cilat u specializua në Itali.
“Unë jam më i prekuri në këtë mes. Kam humbur kohë në atë pozicion, me idenë se po vihet sot në punë, po vihet nesër. Ndërkohë që unë nuk kam pasur ndonjëherë çelës të atij laboratori, nuk e di fare se çfarë bëhet aty brenda. Nuk jam futur ndonjëherë brenda. Di që pajisjet duhet të jenë aty. A janë të amortizuara, a s’janë, as këtë nuk di ta them. Di të them vetëm që minimalisht duhet ta kishin vënë në punë”.
Genci Hyska, drejtori i maternitetit Koço Gliozheni, pohoi rreth tre vite më parë se projekti ishte i paplotë, pasi nuk ishte kryer kostoja e shërbimit.
“Nuk është vënë në punë, për arsye se, që kur u konceptua dhe u investua, nuk u shoqërua me një studim për kostot për trajtim, gjë e cila nuk u përfshi në projekt. Investimi ka disa pajisje mjekësore, por jo të gjitha pajisjet e nevojshme për të realizuar procedurën in Vitro. Aktualisht janë duke u vlerësuar me një grup të posaçëm kostot e këtij shërbimi, pasi, siç u shpjeguam, projekti nuk ka qenë i plotë për të vendosur më pas se si do të procedohet më tej”, – u shpreh për Investigative Network Albania, drejtori Hyska.
Pavarësisht financimit nga BE dhe synimit për të ofruar fertilizimin in Vitro falas, historia e këtij laboratori në maternitetin “Koço Gliozheni” tregon një pamundësi për të implementuar një projekt të rëndësishëm shëndetësor. Ndërsa premtimet vijojnë dhe ende ky laborator nuk ka hapur dyert, çiftet që presin nga ky shërbim shpresojnë për një zgjidhje dhe përgjigje konkrete nga autoritetet shqiptare.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.